Lëvizja si kurë: veprim i hershëm ndaj diabetit tip 2

Lëvizja si kurë: veprim i hershëm ndaj diabetit tip 2. Dita Botërore e Diabetit, Exercise is Medicine Albania

Pse 20 minuta pas darkës mund të bëjnë më shumë se sa mendoni

Iva Rrugia, fizioterapiste, doktorante në Kineziologji · Me kontributin e Dr. Sara Zavalani, endokrinologe

14 nëntor 2026 · Dita Botërore e Diabetit · Rreth 5 min lexim · Diabeti, Aktiviteti fizik

Rishikuar nga mjeku: Dr. Sara Zavalani, endokrinologe


PIKAT KRYESORE

•  1 në 8 të rritur në Shqipëri ka diabet, dhe një e treta nuk e di.

•  Lëvizja e parandalon diabetin tip 2 dhe ndihmon në menaxhimin e tij.

•  Edhe ecja e shkurtër pas ngrënies, sidomos pas darkës, e ul sheqerin në gjak.

Sa minuta keni lëvizur këtë javë? Numërojini: sa ditë keni ecur me hap të shpejtë dhe sa minuta çdo herë. Shumëzojini. Nëse rezultati nuk arrin 150, ky artikull është për ju: 150 minuta në javë është minimumi që rekomandohet për të rriturit (shihni rekomandimet në fund).

Sipas vlerësimeve të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, në Shqipëri rreth 261 mijë të rritur 20–79 vjeç jetojnë me diabet, pra 1 në 8 të rritur, dhe një e treta e tyre nuk e di [1]. Me një prevalencë të standardizuar sipas moshës prej 10,6%, Shqipëria renditet e treta në Rajonin Evropian të Federatës, pas Turqisë dhe Malit të Zi [1]. Për Shqipërinë, këto shifra janë llogaritur duke ekstrapoluar të dhënat e vendeve të rajonit [1]. Tema e Ditës Botërore të Diabetit për vitet 2026–2027, Early action on diabetes (veprim i hershëm ndaj diabetit), thekson rëndësinë e diagnozës së hershme dhe të uljes së rrezikut [2]. Për uljen e rrezikut, aktiviteti fizik është ndër mjetet më të fuqishme që kemi.

Kur lëvizja PARANDALON

Te personat me rrezik të lartë (me glukozë të rritur, por ende pa diabet), programi intensiv i stilit të jetës në studimin Diabetes Prevention Program e uli shfaqjen e diabetit tip 2 me 58% krahasuar me placebon, me një ndjekje mesatare prej 2,8 vjetësh [3]. Programi kombinonte ushqyerjen e shëndetshme, humbjen e të paktën 7% të peshës trupore dhe të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë. Në të njëjtin studim, metformina e uli rrezikun me 31% [3].

Kur lëvizja MENAXHON

Po nëse diabeti është diagnostikuar tashmë? Lëvizja mbetet pjesë e trajtimit. Hemoglobina e glikuar (HbA1c) është analiza që tregon sa i lartë ka qenë sheqeri në gjak gjatë 2–3 muajve të fundit. Një analizë e madhe e studimeve klinike tregoi se programet e ushtrimeve, të ndjekura nga një profesionist për të paktën 12 javë, e ulën këtë vlerë mesatarisht me 0,67 pikë [4]. Ata që ushtroheshin mbi 150 minuta në javë, pra rreth 30 minuta në ditë, pesë ditë në javë, e ulën me 0,89 pikë [4]. Vetëm këshilla “lëviz më shumë” nuk mjaftonte: ajo dha efekt vetëm kur u shoqërua me këshilla për ushqyerjen [4]. Ushtrimi nuk i zëvendëson medikamentet, por vepron krah tyre.

Pse funksionon?

Muskuli që punon e merr sheqerin nga gjaku edhe kur pankreasi nuk prodhon mirë. Prandaj në çdo vizitë nuk pyes vetëm për analizat, por edhe sa minuta ka lëvizur pacienti këtë javë.

Dr. Sara Zavalani, endokrinologe

Çdo lëvizje vlen

Nuk keni kohë për palestër? Filloni nga karrigia. Në studimet ku të rriturit e ndërprisnin qëndrimin ulur çdo 20–30 minuta me 2–5 minuta ecje të lehtë, sheqeri dhe insulina pas ngrënies ishin më të ulëta sesa kur rrinin ulur pa pushim [5]. Edhe ngritja në këmbë ndihmonte, por ecja ndihmonte më shumë [5]. Këto janë efekte të matura brenda ditës, por tregojnë se trupi i përgjigjet shpejt lëvizjes. Shoqata Amerikane e Diabetit gjithashtu rekomandon që qëndrimi i gjatë ulur të ndërpritet të paktën çdo 30 minuta [6].

Ecja më e vlefshme e ditës: pas darkës

Në një studim me 41 të rritur me diabet tip 2, të gjithë ecën gjithsej 30 minuta në ditë. Kur këto minuta u ndanë në 10 minuta ecje pas çdo vakti kryesor, sheqeri pas ngrënies doli mesatarisht 12% më i ulët sesa kur ecnin 30 minuta në çfarëdo ore të ditës [7]. Përfitimi më i madh u pa pas darkës, vaktit me më shumë karbohidrate, pas të cilit njerëzit rrinin më shumë ulur [7]. Ju duket e njohur? Darka vonë, pastaj divani. Pikërisht aty, minimumi 10 minuta ecje bëjnë diferencën.

Si duket kjo në një ditë të zakonshme?

•  Në zyrë: flisni në telefon duke ecur, ose shkoni te kolegu në vend që t’i shkruani.

•  Para televizorit: në çdo pushim reklamash ngrihuni dhe ecni nëpër shtëpi, ose, ulur në karrige, drejtoni dhe ngrini këmbët një nga një.

•  Pas drekës ose darkës: një shëtitje e shkurtër në lagje, qoftë edhe vetëm disa minuta.

•  Në shtëpi: ngjituni në shkallë në vend që të merrni ashensorin; ngrihuni nga karrigia dhe uluni disa herë radhazi; ngrini krahët mbi kokë dhe zgjateni trupin.

Po, por…

•  “Nuk kam kohë.” Nuk ju duhet një orë. Mjaftojnë 10 minuta pas vakteve [7], ose 2–5 minuta lëvizje çdo gjysmë ore [5], për të filluar.

•  “Kam frikë se më bie sheqeri.” Nëse merrni insulinë ose disa tableta që ulin sheqerin (si sulfonilureat), mbani me vete diçka të ëmbël me veprim të shpejtë, si lëng frutash ose kubikë sheqeri [8]. Nëse keni probleme me zemrën ose komplikacione të diabetit në sy, në këmbë ose në veshka, konsultohuni me mjekun para se të filloni [6, 8]. “Pyesni mjekun nëse dozat e medikamenteve duhen përshtatur në rast se rritni aktivitetin fizik,” këshillon Dr. Zavalani. Fizioterapisti ju ndihmon të ndërtoni një program të sigurt.

•  “Nuk kam palestër, as forcë.” Ecja është falas dhe nuk kërkon pajisje. Filloni me pak dhe shtojeni gradualisht: çdo lëvizje vlen më shumë se asnjë [9].

Sfida e javës: 20 minuta pas darkës

Nga 14 deri më 21 nëntor, ecni 20 minuta pas darkës çdo mbrëmje. Ndajeni me #LevizjaSiKure dhe ftoni dikë t’ju shoqërojë. “Medikamentet e menaxhojnë gliceminë, por lëvizja e ndihmon trupin ta kontrollojë më mirë,” thotë Dr. Zavalani.

Rekomandimet

Për të rriturit me diabet tip 2 ose prediabet [6, 8, 9]:

•  Aerobik: të paktën 150 minuta në javë me intensitet të moderuar deri të fuqishëm (p.sh. ecje e shpejtë, biçikletë, not; “i moderuar” do të thotë që mund të flisni, por jo të këndoni), të shpërndara në të paktën 3 ditë. Jo më shumë se 2 ditë rresht pa aktivitet.

•  Forcë: 2–3 seanca në javë, në ditë jo të njëpasnjëshme, për grupet kryesore muskulore.

•  Pas ngrënies: një shëtitje e lehtë pas vakteve kryesore; edhe 2–5 minuta ndihmojnë [5].

•  Qëndrimi ulur: ngrihuni dhe lëvizni 2–5 minuta çdo 30 minuta.

•  Mbi 65 vjeç: shtoni ushtrime ekuilibri dhe shtrirjeje 2–3 herë në javë, p.sh. joga ose tai chi.

Për kolegët mjekë: tre hapa në çdo vizitë

1.  Pyet sa lëviz pacienti. Mjaftojnë dy pyetje: sa ditë në javë dhe sa minuta në ditë.

2.  Përshkruaj lëvizjen me shkrim në Recetën e Lëvizjes: çfarë aktiviteti, sa ditë, sa minuta, me çfarë intensiteti.

3.  Drejto pacientin te fizioterapisti ose te specialisti i kualifikuar i ushtrimit fizik kur ka komplikacione ose rrezik që sheqeri të bjerë shumë (hipoglicemi).

Lëvizja duhet të pyetet, të matet dhe të përshkruhet si çdo shenjë tjetër vitale. Bashkohuni me Rrjetin e Mjekëve të EIM Albania: anëtarësimi është falas, në exerciseismedicine.al/rrjeti-i-mjekeve.

Filloni me pak, shtojeni gradualisht. Çdo lëvizje vlen më shumë se asnjë.

Iva Rrugia, fizioterapiste

RRETH AUTORES

Iva Rrugia

Fizioterapiste · Pedagoge, Universiteti Europian i Tiranës · Doktorante në Kineziologji

Iva Rrugia është fizioterapiste dhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit Europian të Tiranës, ku jep mësim Biomekanikë dhe Kineziologji, Mjekësi Sportive, Telerehabilitim dhe Rehabilitim në Geriatri. Është doktorante në Kineziologji dhe kërkimi i saj fokusohet te telerehabilitimi dhe te ushtrimi si mjet parandalimi dhe trajtimi. Është themeluese e Konsultopt, platformës online për konsulta fizioterapie.

LinkedIn

Dr. Sara Zavalani, mjeke endokrinologe

RRETH EKSPERTES

Dr. Sara Zavalani

Mjeke endokrinologe · Pedagoge universitare

Dr. Sara Zavalani është mjeke endokrinologe dhe pedagoge universitare, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë. Ekspertiza e saj përfshin diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve endokrine dhe metabolike, me fokus te sëmundjet e tiroides, diabeti dhe obeziteti. Është autore dhe bashkautore e punimeve shkencore të botuara në revista e konferenca ndërkombëtare.

Shënim: Ky artikull është vetëm për qëllime informuese dhe nuk zëvendëson këshillën e mjekut. Para se të ndryshoni aktivitetin fizik ose mjekimin, konsultohuni me mjekun tuaj.

SI TA CITONI KËTË ARTIKULL

Rrugia I. Lëvizja si kurë: veprim i hershëm ndaj diabetit tip 2. Exercise is Medicine Albania; 14 nëntor 2026. Në dispozicion: exerciseismedicine.al/levizja-si-kure-diabeti-tip-2

Referencat

  1. [1] International Diabetes Federation. IDF Diabetes Atlas. 11th ed. Brussels: IDF; 2025.
  2. [2] International Diabetes Federation. World Diabetes Day 2026: Early action on diabetes [Internet]. 2026.
  3. [3] Knowler WC, Barrett-Connor E, Fowler SE, Hamman RF, Lachin JM, Walker EA, et al. Reduction in the incidence of type 2 diabetes with lifestyle intervention or metformin. N Engl J Med. 2002;346(6):393-403.
  4. [4] Umpierre D, Ribeiro PAB, Kramer CK, Leitão CB, Zucatti ATN, Azevedo MJ, et al. Physical activity advice only or structured exercise training and association with HbA1c levels in type 2 diabetes: a systematic review and meta-analysis. JAMA. 2011;305(17):1790-9.
  5. [5] Buffey AJ, Herring MP, Langley CK, Donnelly AE, Carson BP. The acute effects of interrupting prolonged sitting time in adults with standing and light-intensity walking on biomarkers of cardiometabolic health in adults: a systematic review and meta-analysis. Sports Med. 2022;52(8):1765-87.
  6. [6] American Diabetes Association Professional Practice Committee. Standards of Care in Diabetes—2026. Diabetes Care. 2026;49(Suppl 1). Section 5.
  7. [7] Reynolds AN, Mann JI, Williams S, Venn BJ. Advice to walk after meals is more effective for lowering postprandial glycaemia in type 2 diabetes mellitus than advice that does not specify timing: a randomised crossover study. Diabetologia. 2016;59:2572-8. doi: 10.1007/s00125-016-4085-2
  8. [8] Kanaley JA, Colberg SR, Corcoran MH, Malin SK, Rodriguez NR, Crespo CJ, et al. Exercise/physical activity in individuals with type 2 diabetes: a consensus statement from the American College of Sports Medicine. Med Sci Sports Exerc. 2022;54(2):353-68. doi: 10.1249/MSS.0000000000002800
  9. [9] Bull FC, Al-Ansari SS, Biddle S, Borodulin K, Buman MP, Cardon G, et al. World Health Organization 2020 guidelines on physical activity and sedentary behaviour. Br J Sports Med. 2020;54(24):1451-62. doi: 10.1136/bjsports-2020-102955

Postet e fundit